Imazhi i Gjermanisë në opinionin publik serb ka kaluar brenda pak vitesh nga admirimi në armiqësi të hapur, ndërsa eksperti gjerman për Ballkanin, Thomas Brey, thotë se kjo nuk ka ardhur si pasojë e përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, por e një fushate të qëllimshme mediatike të përdorur për interesa politike.
Në një analizë të publikuar nga Shoqata Gjermane për Evropën Juglindore (SOG), Brey argumenton se mediat proqeveritare në Serbi, nën ndikimin e sistemit politik të Aleksandar Vuçiqit, kanë ndërtuar një narrativë gjithnjë e më armiqësore ndaj Gjermanisë.
Kjo, sipas tij, është veçanërisht ironike duke pasur parasysh lidhjet e fuqishme ekonomike mes dy vendeve. Në vitin 2025, tregtia mes Gjermanisë dhe Serbisë arriti rreth 10 miliardë euro, ndërsa mbi 900 kompani gjermane kanë investuar rreth pesë miliardë euro dhe kanë krijuar rreth 80 mijë vende pune.
Megjithatë, ndërsa bashkëpunimi ekonomik vazhdon, mediat proqeveritare serbe kanë intensifikuar sulmet ndaj Berlinit. Ish-ministrja e Jashtme Annalena Baerbock dhe kancelari Friedrich Merz janë bërë objektiva të vazhdueshëm të propagandës, ndërsa Gjermania është akuzuar për “censurë”, “revanshizëm” dhe madje për synime për krijimin e një “Rajhu të Katërt”.
Brey thekson se mediat serbe kanë përhapur edhe pretendime se fondacionet gjermane financojnë opozitën dhe protestat studentore, pa ofruar prova për këto akuza. Sipas tij, një pjesë e këtyre narrativave vijnë drejtpërdrejt nga media ruse si Sputnik Serbia dhe RT Balkan dhe më pas ripublikohen nga tabloidet serbe.
Sipas analizës, kjo propagandë ka ndikuar edhe në perceptimin e qytetarëve: Gjermania vlerësohet pozitivisht nga vetëm 7.5 për qind e të anketuarve.
Brey e përmbledh kritikën e tij duke thënë se peizazhi mediatik në Serbi nuk shërben për informimin neutral të qytetarëve, por për konsolidimin e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit. Ai paralajmëron se pa një përballje sistematike me dezinformimin, ndikimi i Perëndimit në Serbi rrezikon të dobësohet edhe më tej.