Një grup i organizuar kriminal prej 21 personash është goditur në një aksion të koordinuar policor në Maqedoninë e Veriut, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, aksioni është zhvilluar më 30 shtator, pas një hetimi disa mujor, ndërsa grupi përbëhej nga 20 persona nga Prilepi dhe një person nga Shkupi.
“Është suprimuar një grup i organizuar kriminal prej 21 anëtarësh, i përbërë nga 20 persona nga Prilepi dhe një person nga Shkupi, të cilët për një periudhë më të gjatë kanë kryer vepra penale në fushën e tregtisë së paligjshme me drogë dhe krimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Në kuadër të aksionit janë kryer bastisje në 36 lokacione – 33 në Prilep, dy në Shkup dhe një në Strugë. Janë kontrolluar gjithsej 31 persona, ndërsa 20 prej tyre janë privuar nga liria.
Gjatë bastisjeve, policia ka sekuestruar lëndë narkotike, armë dhe municion, para në denarë dhe valuta të huaja, automjete, motoçikleta, telefona celularë, peshore, mulli metalik dhe pajisje të tjera.
Sipas hetimit të përshkruar nga MPB-ja, dy persona me inicialet N.V. dhe M.S. dyshohet se kanë krijuar dhe drejtuar grupin, i cili funksiononte përmes një rrjeti shpërndarësish.
MPB-ja pretendon se N.V. siguronte kokainë dhe marihuanë nga persona të paidentifikuar me origjinë nga Shqipëria, Struga dhe Dibra, ndërsa drogën e ruante në lokacione të sigurta në Shkup dhe Prilep.
“Drogën (kokainë dhe marihuanë) N.V. e blinte nga persona me origjinë nga Shqipëria, Struga dhe Dibra dhe e mbante në lokacione të sigurta në Shkup dhe Prilep, pas së cilës organizonte si rrjet rishitësish”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas policisë, rrjeti kishte blerës në Prilep, Manastir, Kavadar, Negotinë, Veles dhe Shkup.
Çmimet e drogës, sipas njoftimit, ishin nga 500 deri në 800 denarë për gram marihuanë, ndërsa 4.000 deri në 6.000 denarë për gram kokainë.
Një skemë e ngjashme, sipas MPB-së, funksiononte edhe nën drejtimin e M.S., i cili dyshohet se siguronte kokainë dhe marihuanë nga persona nga Dibra dhe Gostivari dhe më pas i shpërndante përmes një rrjeti shitësish.
Sipas autoriteteve, shitësit ia dorëzonin paratë nga shitja drejtuesve të dyshuar të grupit, ndërsa një pjesë u jepej si shpërblim.
“Paratë nga shitja ia jepnin N.V.-së, i cili si shpërblim u jepte një pjesë të parave, të cilat më pas i përdornin për blerjen e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Hetimi përfshin edhe dyshimet për pastrim parash. MPB-ja thotë se gjatë periudhës 2025–2026, pesë persona kanë futur në qarkullim legal para që dyshohet se kanë ardhur nga trafikimi i drogës.
Bëhet fjalë për gjithsej 4.990.270 denarë dhe 64.670 euro.
Sipas MPB-së, qëllimi ka qenë “të fshihet lëvizja e mëtejshme dhe vendndodhja e parave”, duke i futur ato në qarkullimin legal dhe duke i vënë më pas në qarkullim.
Ndaj 21 personave është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas MPB-së, disa prej tyre dyshohen për prodhim dhe trafikim të paligjshëm të drogës, ndërsa disa të tjerë edhe për pastrim parash.
Një prej personave të përfshirë, B.I., 62 vjeç, sipas MPB-së, ndodhet në paraburgim në Francë për një vepër penale sipas nenit 215 të Kodit Penal.