Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski, në konferencë për shtyp tha se Maqedonia e Veriut është në Bashkimin Evropian, por se duhet të ndërmerret edhe një hap.
“Mesazhi im është ky: qartë, ju na përkisni, tani keni vetëm një hap vendimtar për të ndërmarrë për të ecur përpara dhe për të hapur kapitullin e parë. E di sa e ndjeshme është kjo, por dua të jem e qartë për atë që përfaqëson Evropa. Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj. Ne besojmë se kultura dhe gjuha maqedonase mund ta bëjnë Unionin tonë më të pasur, sepse motoja jonë është - diversiteti dhe uniteti”, tha Von Der Leyen.
Ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski tha se Maqedonia po përmbush detyrimet e saj dhe se është koha që Evropa të sigurojë një proces të drejtë pa kushte të reja.
Mickoski tha se takimi i sotëm me von der Leyen ishte i hapur, përmbajtjesor dhe i përqendruar në çështje që përcaktojnë drejtpërdrejt të ardhmen tonë evropiane.
“Diskutuam reformat, dinamikën e procesit të anëtarësimit, por edhe sfidat që kanë rënduar rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian për vite me radhë. Vendosmëria jonë si vend është e qartë dhe mbetet e pandryshuar. Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe po punojmë me përkushtim drejt këtij qëllimi. Në të njëjtën kohë, besojmë se ka ardhur koha që ky proces të marrë mbështetje më të fortë politike nga institucionet evropiane. Vendosmëria jonë evropiane nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë në diskutim. Ajo që kërkojmë sot është një proces që do të jetë i drejtë dhe i bazuar në rregulla të qarta”, tha Mickoski.
Ai theksoi se shteti po i përfundon detyrimet e tij dhe po zbaton reformat që priten nga një vend, ndonjëherë në kohë, ndonjëherë pak vonë, por megjithatë po i përfundon ato.