Gjykata e Tiranës la në qeli Eraldo Fizin i cili akuzohet për dhunë në familje dhe shkaktim vetëvrasje ndaj ish-bashkëshortes së tij Xhuana Nikollaj.
ABC News mëson se në dëshminë e tij në gjykatë Eraldo Fizi, ka pranuar se ka shtruar dhunë ndaj Xhuana Nikollaj dhe se sipas tij kjo kishte ndodhur vetëm një herë. Ai ka thënë se dhuna ka ndodhur një ditë para se e reja të konsumonte fostoksinë.
Gjatë dëshmisë në polici, Fizi ka deklaruar se e kishte dashur Xhuana Nikollajn prej rreth shtatë vitesh.
Sipas tij, çifti ishte ndarë, por kishte pasur tentativa për t’u ribashkuar. Konflikti mes tyre, sipas versionit të tij, kishte nisur për shkak të një situate xhelozie.
Eraldo Fizi ishte shpallur në kërkim prej më shumë se gjashtë muajsh, ndërsa të mërkurën u vetëdorëzua në Policinë e Lezhës, së bashku me avokatin e tij. Më pas ai u transferua drejt Tiranës, ku doli përpara gjykatës.
Më 9 mars, Xhuana Nikollaj kishte takuar ish-bashkëshortin e saj dhe, sipas të dhënave të hetimit, mes tyre kishte pasur një përleshje. Një ditë më pas, më 10 mars, 25-vjeçarja konsumoi fostoksinë dhe humbi jetën.
Gjatë hetimeve, në trupin e 25-vjeçares u konstatuan shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah. Në banesë u gjet gjithashtu një letër që ajo u kishte lënë familjarëve.
Pas ngjarjes, edhe familjarët e Xhuana Nikollajt deklaruan se e reja ishte dhunuar dhe përndjekur nga ish-bashkëshorti i saj. /Abcnews.al/