Nga Rajoni
2 October 2026
Haxhiu: Më e rëndësishme është ta zgjedhim presidentin se sa të votojmë ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të Kosovës duhet të jetë prioritet dhe se kjo çështje nuk duhet të kushtëzohet me votimin e ndryshimeve ligjore të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës për Dhomat e Specializuara.

Haxhiu ka thënë se nuk është për “pazare” lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke u bërë thirrje partive politike që të ulen dhe të diskutojnë për prioritetet.

“Unë nuk jam që të bëhen pazare për këtë çështje. Unë mendoj që të gjithë me përgjegjësinë më të lartë që kemi duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin se sa që ta votojmë ligjin”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se pas zgjedhjes së presidentit do të mund të trajtohet edhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Sepse në qoftë se zgjidhet presidenti, atëherë do të kemi mundësi ta trajtojmë projektligjin, do të kemi mundësi që ta adresojmë kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për një strategji të përbashkët”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, institucionet duhet të punojnë në një strategji të përbashkët, ku do të përfshiheshin përfaqësuesit e institucioneve, ekspertët dhe ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.

“Për bindjen time më e qëlluar është strategjia e përbashkët ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe përgatitemi e jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit, se sa të procedojmë nisma që ata vetë e dinë që mund të mos çojnë kërkund”, është shprehur ajo.

Haxhiu ka theksuar se zgjedhja e presidentit duhet të jetë “prioritet mbi prioritetet”, duke argumentuar se dërgimi i vendit në zgjedhje do ta rikthente sërish në të njëjtën situatë.

“Prandaj prioritet mbi prioritetet është që ta kemi presidentin sepse edhe vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi nuk mendoj që do të ndiheshin që e kanë mbështetjen e shtetit në qoftë se ne me vetëdije të plotë e çojmë vendin në zgjedhje”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka shtuar se edhe pas zgjedhjeve mund të rikthehet çështja e zgjedhjes së presidentit.

“Sidomos, ju e dini shumë mirë që edhe pas zgjedhjeve situata nuk do të ndryshojë dhe sërish problemin e njëjtë do ta kemi në tavolinë. Atëherë pse jo tash? Pse duhet për të dytën herë të na çojë çështja e presidentit në zgjedhje?”, ka thënë Haxhiu.



Të ndryshme
Më shumë
Marrëveshja SHBA-Iran ul tensionet, rihapet Ngushtica e Hormuzit15 June 2026
Jennifer Lopez tërheq vëmendjen në Javën e Modës në Milano me paraqitjen e saj elegante23 September 2026
Vdes babai i Kadri Veselit 7 July 2021