Nga Rajoni
14 October 2026
Një muaj paraburgim për Gani Gecin

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ish-deputetit Gani Geci, i dyshuar për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Masa e paraburgimit është caktuar pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 11 tetor 2026, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit “VOX Kosova” në Prishtinë.

Geci dyshohet se e ka kanosur drejtpërdrejt gazetarin Lirim Mehmetaj, për shkak të një postimi të publikuar nga ky i fundit në Facebook lidhur me deputetin Fatos Geci, me qëllim që ta detyronte ta largonte ose ta ndryshonte përmbajtjen e postimit.

Sipas Prokurorisë, pasi Mehmetaj kishte refuzuar kërkesën, i dyshuari dyshohet t’i ketë thënë: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra”, duke ia përsëritur më pas kërkesën me fjalët: “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra”.

Po ashtu, në kërkesën e Prokurorisë thuhet se më 12 tetor 2026, derisa Mehmetaj ishte pjesë e emisionit “Debat Plus” në cilësinë e panelistit, Geci kishte shkuar në afërsi të TV Dukagjinit dhe kishte publikuar një video në TikTok për t’i bërë me dije gazetarit se ndodhej aty.

Sipas të njëjtës kërkesë, i dyshuari e kishte pritur gazetarin për rreth dy orë derisa të dilte nga studio, veprime që, sipas Prokurorisë, i kishin shkaktuar të dëmtuarit frikë, ankth dhe pasiguri.

Për këto veprime, Gani Geci dyshohet për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 



Të ndryshme
Më shumë
Ahmeti nga Haraçina: Shqiptarët janë shtetformues, Mickoski po rrezikon stabilitetin e vendit17 May 2025
Dy shtete të fuqishme garantojnë për lirimin e Thaçit nga paraburgimi23 July 2021
Enver Hoxhaj: Zgjedhjet e reja janë përgjegjësi e Kurtit, përpjekjet ishin teatër politik 2 May 2026