Nga Vendi
5 June 2025
Kryetari i BFI-së Shaqir Fetahu me rastin e Kurban Bajramit: Të kultivojmë respektin dhe harmoninë në një shoqëri të drejtë e të begatë

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, ka përcjellë një mesazh urimi përmes një video-mesazhi, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste për nxitjen e respektit, solidaritetit dhe harmonisë në shoqëri.

“Kjo festë duhet të na përkujtojë domosdoshmërinë e respektit dhe harmonisë kudo në botë, e në veçanti në vendin tonë multikonfesional dhe multietnik, për të qenë të bashkuar në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të begatë, dhe për të ecur të gjithë së bashku drejt një të ardhmeje të ndritur”, u shpreh Fetahu në urimin e tij.

Kreu i BFI-së theksoi se në një kohë sfidash të mëdha globale, mesazhet që përcjell Kurban Bajrami janë më të rëndësishme se kurrë më parë. Ai bëri thirrje për angazhim kolektiv në eliminimin e varfërisë, përhapjen e qetësisë dhe vlerave morale, si dhe për promovimin e dijes, paqes dhe rendit në vend të injorancës, egoizmit dhe kaosit.

“Na kujton se është e domosdoshme të angazhohemi në eliminimin e problemeve me të cilat përballet njerëzimi, të zhdukim varfërinë dhe të mbjellim qetësinë dhe begatitë e jetës, të ngremë vlerat morale ndaj anomalisë së sotme, të promovojmë shpirtëroren në vend të egoizmit dhe xhelozisë, të përhapim paqen në vend të luftës dhe mizorive, të vendosim dijen mbi injorancën dhe rendin mbi kaosin”, tha më tej Fetahu.

Ai uroi që kjo festë të shërbejë si frymëzim për bashkëjetesë, mirëkuptim dhe vlerësim të ndërsjellë, veçanërisht në një vend si Maqedonia e Veriut, ku bashkëjetojnë komunitete të ndryshme fetare dhe etnike.

Kurban Bajrami, një nga dy festat më të rëndësishme në kalendarin islam, simbolizon sakrificën, përkushtimin dhe ndarjen me të tjerët, veçanërisht me ata që janë në nevojë. Festimet zakonisht përfshijnë faljen e namazit të Bajramit, therjen e kurbanit dhe shpërndarjen e mishit tek familjet e varfra./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Maqedoni: 47 mijë euro shpenzime rrugore për një deputet27 July 2020
Lëndët ndaj Sasho Mijallkovit, pa epilog gjyqësor24 August 2020
Çfarë duhet të dinë zviceranët që duan të udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri23 June 2021