Nga Rajoni
20 October 2025
Kosova shteti i vetëm në rajon ende jashtë Konferencës Evropiane të Ministrave të Transportit

Kosova, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, ende nuk është bërë anëtare e Konferencës Evropiane të Ministrave të Transportit e quajtur CEMT, çka konsiderohet se kufizon mundësitë e transportuesve me mallra të vendit tonë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, raporton KosovaPress.

CEMT, është një marrëveshje multilaterale e cila i mundëson kompanive transportin e mallrave në vendet evropiane drejt një destinacioni të caktuar apo kalimin tranzit nëpër një apo më shumë shtete anëtare të CEMT-it. Kjo certifikatë ndryshe, njihet edhe si leje kalimi-ndërkombëtar dhe ka rëndësi të veçantë edhe për mbrojtjen e ambientit.

Nga Shoqata e Transportit të Mallrave të Kosovës thonë se anëtarësimi në licencën CEMT do t’ua lehtësonte transportin dhe do të ulte kostot e operimit. Ndërkaq, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) e vlerëson si shumë të rëndësishëm anëtarësimin e vendit në çdo organizatë ndërkombëtare, përfshirë edhe CEMT-in.

Kurse, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për KosovaPress thonë se janë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe po lobojnë përmes kanaleve diplomatike tek vendet mike për të siguruar përkrahjen e nevojshme. Qëllimi, sipas tyre, është që pas dorëzimit të aplikimit zyrtar, Kosova të ketë votat e mjaftueshme për anëtarësim në CEMT.

CEMT, ndër të tjera lëshon leje ndërkombëtare për transportin rrugor të mallrave. Konferenca Evropiane e Ministrave të Transportit (e njohur gjithashtu si Forumi Ndërkombëtar i Transportit) është një organizatë ndërkombëtare e përqendruar në politikat dhe infrastrukturën e transportit, veçanërisht përmes lejeve shumëpalëshe CEMT që lehtësojnë transportin ndërkufitar të mallrave në Evropë.

Me lejen CEMT mund të lejohet transporti i mallrave me rrugë ndërmjet vendeve anëtare pa pasur nevojë për autorizime të veçanta për çdo udhëtim, çka lehtëson transportin ndërkufitar të mallrave, duke e bërë atë edhe më efikas. /KosovaPress



Të ndryshme
Më shumë
BFI do të kyçet në thirrjen për vaksinim31 August 2021
Tre shtëpi përfshihen nga flakët në Tetovë28 January 2022
Për katër orë 131 gjoba për motoçiklistët në Maqedoni 7 July 2021