Në Kuvend nuk ka mbërritur asnjë interpelancë ndaj ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, pavarësisht thirrjeve të shumta publike dhe politike për dorëheqjen e tij, të nxitura nga qëndrimet lidhur me kërkesën e studentëve që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Gjatë një takimi joformal me gazetarët, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se në këtë rast duhet të respektohet Ligji për përdorimin e gjuhëve, duke theksuar se ai personalisht e ka mbështetur kërkesën e studentëve. Sipas tij, deri më tani në adresë të Kuvendit nuk ka pasur asnjë procedurë zyrtare për interpelancë ndaj ministrit.
Në të njëjtin takim, u bë e ditur se ende nuk ka asgjë konkrete lidhur me formimin e grupit të punës për Kodin e ri zgjedhor, proces që duhet të iniciohet nga Ministria e Drejtësisë. Po ashtu, nuk është arritur asnjë marrëveshje politike për projekt-ligjin mbi qeverinë teknike, i cili u ishte dorëzuar deputetëve për shqyrtim.
Deputetët pritet të mblidhen nesër në seancën e radhës plenare, ndërkohë që jashtë Kuvendit janë paralajmëruar protesta nga sindikatat, të cilat kërkojnë rritjen e pagës minimale. Policia ka informuar Kuvendin për planin e veprimit, duke sqaruar se hyrjet për automjete do të bllokohen, ndërsa funksionimi i seancës nuk pritet të pengohet, me theks në respektimin e së drejtës së qytetarëve për protestë.