Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur optimist pas takimeve të zhvilluara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare. Ai tha se bisedimet janë zhvilluar në frymë konstruktive, por theksoi se është ende herët për të folur për rezultate konkrete. "Është ende herët të flasim për rezultate konkrete, por mbetemi optimist për rrugën përpara. Fryma konstruktive përgjatë bisedimeve nuk paraqet marrëveshje e garanci për sukses, por kemi shpresë për avancim në vijim", u shpreh Kurti, duke shtuar se qëllimi është funksionalizimi i institucioneve në përputhje me vullnetin e qytetarëve. Pas takimit me Bedri Hamzën, Kurti deklaroi se beson se ekziston vullnet për konstituimin e institucioneve, ndërsa theksoi se për zgjedhjen e presidentit nevojitet bashkëpunimi i të gjitha forcave politike dhe një figurë konsensuale. Ndërkohë, pas takimit me Lumir Abdixhikun, ai bëri të ditur se diskutimet janë përqendruar në parime, koncepte, afate dhe funksione, duke lënë të kuptohet se synohet një marrëveshje më e gjerë politike. Nga ana tjetër, Bedri Hamza konfirmoi se PDK-ja do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati, por se partia mbetet e hapur për dialog politik. Edhe Lumir Abdixhiku e cilësoi takimin si një hap të mirë drejt vazhdimit të diskutimeve, duke theksuar se LDK-ja mbështet krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe ruajtjen e balancës demokratike në vend.